Çfarë “beteje treshe” mes Kielinit, Balotelit dhe Felipe Melos!

Sinqeriteti i parë mund të quhej krejt normal, pasi si një juventin “24-karatësh”, ai mund ta urrejë një kundërshtar të tillë, të paktën sportivisht. Xhorxho Kielini theksoi pikërisht se “sportivisht e urrej Interin”, fjalë prej kapiteni të Juventusit, një klubi që mban mend “kalçopolin” e vitit 2006. Gjithsesi, kapiteni bardhezi pati edhe dy komente të tjera që bënë jehonë dhe morën përgjigje të ashpra.

Së pari, për Mario Balotelin, të cilin e quajti pa asnjë mëdyshje si “një person negativ”. “Me atë që bëri në Kupën e Konfederatave në 2013, ai ishte për t’u marrë me shpulla, – shkruan Kielini në autobiografinë e tij, – nuk kishte respektin për grupin, nuk na ndihmoi për asgjë”. Këtyre fjalëve, Baloteli “dora vetë” nuk vonoi t’u përgjigjej. “Një kapiten i çuditshëm, – tha sulmuesi i Breshës, – asnjëherë nuk t’i thotë gjërat në sy”.

Edhe më rëndë, Xhorxho shkruajti për Felipe Melon, një tjetër ish-lojtar i Interit, por edhe i Juventusit. “Felipe Melo ishte më i keqi ndër të këqinjtë, – ishin akuzat e veteranit, – me të ishte gjithnjë rrezik të bëje sherr. Ua thashë edhe drejtuesve (të Juves), është një mollë e kalbur”. Felipe Melo, mesfushori nga Brazili, deklaron se “ky mbrojtës e bënte gjithnjë në brekë, pra s’ka pse thotë se për shkakun tim mund të bëhej gjithnjë sherr”. “Është shumë e lehtë të sulmosh me një libër, – vazhdoi ai, – tek Juventusi i kam respektuar të gjithë, por ndoshta Kielini është i zemëruar nga “shpullat” që i dhamë kur isha te Gallatasaraji, dhe eleminuam Juventusin nga Championsi”.

Sfidanti.al