Igli Tare “i vë kufirin tek thana” Spadaforës: Nuk e ndalon dot Serinë A

Drejtori sportiv i Lacios është i bindur se liga e futbollit do të ketë sukses dhe se qeveria do të detyrohet të pranojë humbjen. Nuk dihet sesa mirë i ka bërë llogaritë Igli Tare, por ky është mendimi i ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, që “kërcënon” ministrin e sportit në Itali, Spadaforën. “Ai nuk ka kompetenca për të dekretuar mbylljen e Serisë A, – thotë Tare, – FIFA dhe UEFA e kanë bërë të qartë se kampionatet duhet të përfundojnë në vitin diellor. Nëse nisim në qershor, mund të përfundojmë në gusht apo shtator, sipas modelit të Botërorit të Katarit”.

Në të vërtetë, në Francë, qeveria i dha fund futbollit me dekretin e saj, të mbështetur nga presidenti Makron (Franca është republikë presidenciale), ndërsa në vendet e tjera të rëndësishme europiane duket se ka qendrim më të kujdesshëm. Në Angli e Gjermani po flitet për rifillimin e kampionateve, në Spanjë ka shanse, besohet edhe në Itali. Tare tregon se Lacio do të kthehet në stërvitje në Formelo të mërkurën, por ndoshta edhe më parë nëse përfundojnë më shpejt testimet për koronavirusin.

Sfidanti.al