Të paktën një vit, dhe nuk do të ishte edhe aq keq. Në një botë kaq të vrullshme dhe të ndryshueshme si kjo e futbollit, nëse fiton një betejë për 12 muaj, mund të quhet sukses i rëndësishëm. Sidomos kur flitet për një pasardhës të superyjeve Mesi e Ronaldo, siç është Kilian Mbapeja. Epidemia e koronavirusit po ndihmon Paris SG që ta mbajë sulmuesin e Francës, të paktën deri në 2021, diçka që nënkupton një rinovim të kontratës.
Edhe pse kampioni i botës ka si dëshirë të provojë kampionatet më të fortë të Europës dhe të botës, me gjasë La Ligën e Spanjës (ndoshta, edhe Premier Ligën angleze), sërish mosha e re 21-vjeçare, dhe pamundësia financiare e Realit (p.sh.) mund ta bënte që të kandisej edhe për një edicion tjetër në Ligën e parë të Francës. Kështu shkruan “L’Ekip”, ndërsa sulmuesi pret përfundimin e pandemisë në një vilë të madhe në Jug të Francës, ku ndodhet me prindërit dhe familjarët e tjerë. PSG do të tentojë të luajë për të fituar Championsin këtë sezon, dhe nëse ia del do të kishte një arsye më të fortë për ta bindur Mbapenë. Rinovimi i kontratës mund të bëhet me rritje rroge, por edhe me klauzolë për të mos e penguar që të kalojë tek Reali sa më shpejt.
Sfidanti.al