Përpara tij ndodhej një djalosh vetëm 17-vjeçar, por syrit të stërvitur nuk mund t’i shpëtonte e ardhmja. Kristiano Ronaldo po bëhej gati për debutimin e tij tek Sportingu i Lisbonës, dhe trajneri Lashlo Bolonji, e pikasi se për çfarë bëhej fjalë. Ish-ylli i Rumanisë dhe i Steauas së Bukureshtit, kampion i Europës në 1986, dhe një djalë i një familjeje me kombësi hungareze “shekeli”, ishte duke stërvitur pikërisht një djalosh të ri si Ronaldo, të cilin e bëri që të debutante tek Sportingu në gusht 2002, në një miqësore ndaj Interit (0-0). Ishte ekipi i fundit i madh i Sportingut që doli kampion i Portugalisë në 2002, fitoi Kupën e Portugalisë dhe Superkupën, ndërsa mbetet titulli i fundit i bardhëjeshilëve.
Në një intervistë për mediat, Bolonji u shpreh për Ronaldon se “do të kalojë Euzebion dhe Figon”. Sot ai kujton se pati reagime negative për atë intervistë, pra sesi mund të krahasonte një 17-vjeçar me dy “Perëndi” të futbollit portugez, por koha i dha të drejtë. “Ronaldo erdhi tek ne, ndërsa kishte luajtur qendërsulmues tek të rinjtë, me numrin 9, – kujton Bolonji, – unë vendosa ta nxjerr në krah të djathtë, sepse ishte vetëm 60 kg dhe nuk mund të luante kundër qendërmbrojtësve që peshonin 90-100 kg. Besoj se bëra mirë, edhe pse nuk ishte e lehtë sepse ai donte golat”.
Bolonji thotë me kënaqësi, që edhe tek Mançester Junajtidi me Fergusonin, Ronaldo luajti në krah të djathtë, dhe vetëm pas shumë kohësh tek Reali kaloi si sulmues. “E këshillova që të driblonte më pak, sepse donte vetëm driblimet, – thotë rumuno-hungarezi, – i thashë se mjaftonte një driblim, dhe Ronaldo ishte inteligjent duke kuptuar shpejt”. Sot, CR7 ka 1000 ndeshje si profesionist, me 726 gola, me 5 Topa të Artë, 4 Këpucë të Arta, 5 Champions, 6 tituj kampion, një Kampionat Europian, një Ligë të Kombeve, shënuesi historik i Realit me 451 gola, i Championsit me 128 dhe i Portugalisë me 99.
Sfidanti.al