Higuain flet për Argjentinën, “Bernabeun”, De Laurentisin dhe Juven!

Ka 18 vjet që luan futboll në nivelin e lartë, me skuadrat më të mira të mundshme në ligat ku u akvivizua. Gonzalo Higuain provoi River Plejtin në Argjentinë, Realin e Madridit në Spanjë, Juventusin e Milanin në Itali e Çelsin në Angli, dhe pavarësisht fanelave të famshme e golave të shumtë të shënuar, mbeti gjithnjë në diskutim. E larguan nga Reali, po ashtu Juvja për një moment nuk e deshi, ashtu si edhe Çelsi, ndërsa Milani nuk e përballonte dot financiarisht.

Gjithsesi, momentin më të keq e pati pas finales së Kupës së Botës 2014, Gjermani-Argjentinë, të humbur 0-1 pas kohës shtesë, dhe ku humbi rastin më të pastër të argjentinasve, vetëm për vetëm me Nojerin. Kritikat ishin të shumta dhe ai u mbyll në shtëpi. “Nuk doja të dilja nga shtëpia dhe mendova të lija futbollin, – tregon ai për “Markën”, – por, mamaja nuk më la. Kritikat ishin të egra, të vrisnin. Me klubet kam kaluar mirë dhe po ashtu me tifozët, në “Bernabeu” më bënë të qaja kur më përcollën, tek Napoli po ashtu më deshën, por unë u largova për shkak të (presidentit) De Laurentis, nuk shkoja mirë me të, nuk doja të rrija në një klub me të”.

Tek Juvja e fitoi luftën e tij, pasi deshën ta largonin me ardhjen e Kristiano Ronaldos, veçse sot është sërish në planet e Mauricio Sarrit. Me klubet ka shënuar mbi 300 gola dhe 31 me Argjentinën, si dhe ka fituar 13 trofe në Spanjë, Itali e Angli. Sfida për 32-vjeçarin vazhdon.

Sfidanti.al