Murinjo-Çelsi-Liverpul, prapaskenat e mëdha të portugezit në vitin 2004!

Prapaskena të rëndësishme paskan ndodhur pikërisht në këtë kohë. Zhoze Murinjo, trajneri më i vlerësuar i Europës në vitin 2004, paska qenë fare pranë kalimit tek Liverpuli, diçka që nëse do të kishte ndodhur, mund ta kishte ndryshuar historinë e futbollit, të paktën për klubet e interesuar. Ndërsa, portugezi po udhëhiqte Porton në suksese pas suksesesh, me Kupën UEFA fituar në 2003 dhe Championsin në 2004, Liverpuli dëshironte të gjente një pasardhës për trajnerin francez, Zherar Hulje.

Edhe pse fitoi Kupën UEFA, dhe madje pesë trofe në një vit në 2001, sërish Hulje nuk po e bindte klubin e madh anglez, ndaj edhe shefi ekzekutiv i asaj kohe, Rik Perri, kishte arritur një akord me agjentin e Murinjos, Zhorge Baidekun. Gjithsesi, në momentin e fundit ndërhyri Roman Abramoviçi, pronari-miliarder i Çelsit, duke ofruar një kontratë më të madhe.

Kjo bëri që skenari të ndryshonte plotësisht, dhe Zhoze Murinjo të bënte prezantimin e tij të famshëm në “Stemford Brixh”, me fjalinë që u bë legjendare: “Ju lutem, mos më quani arrogant, sepse unë po them të vërtetën, unë jam kampion i Europës, pra nuk jam një i zakonshëm, unë mendoj se jam i veçantë”.

Me Murinjon në stol, Çelsi fitoi dy tituj kampion radhazi në Angli, në 2005 e 2006, si dhe Kupën e Anglisë e Kupën e Ligës, por nuk triumfoi dot në Champions. Në të kundërt, Liverpuli me Rafa Benitezin në drejtim, u shpall kampion i Anglisë në 2005, pas finales së paharrueshme të Stambollit ndaj Milanit, por gjithsesi nuk e fitoi dot Premier Ligën, diçka që nuk e ka bërë ende deri më sot.

Sfidanti.al