Ka një farë të drejte klubi tjetër i kryeqytetit, sepse “i zoti i punës” e pohoi vetë se është romanist. Flasim për Xhovani Recën (Rezza), drejtorin e Departamentit për Sëmundjet Infektive në Institutin Suprem të Shëndetësisë, që është gjithashtu edhe anëtar i Komitetit Tekniko-Shkencor italian, e që po merret me koronavirusin.
I pyetur nëse Seria A, dhe futbolli në përgjithësi, do të mund të rifillonte, Reca u shpreh se “unë do të kisha mendim të kundërt”, ndërsa lëshoi një batutë se “si tifoz i Romës, që jam, do t’i dërgoja që të gjithë në mal”. Nuk mungoi përgjigja nga ana e Lacios, dhe presidenti Lotito foli me gojën e përzgjegjësit të shtypit, Diakonale. “Shkencëtarët ndonjëherë sëmuren, gjithashtu, i zë tifoja, të kuptohemi ajo e futbollit, – shkruhej në reagim, – në vend që të kthehen në tifozë, bëjnë mirë të merren me punën e tyre, të gjejnë ndonjë vaksinë apo mjekim për sëmundjen”. Në Itali ka polemika të forta për rifillimin ose jo të sezonit, dhe Lacio është nga ata klube që dëshiron kthimin në fushë në një kohë të përshtatshme, ndërsa ka nga ata si Torino që janë kundër.
Sfidanti.al