Opinioni publik është gjë e madhe, deri edhe në vendet ku duket se nuk ekziston, jo më në Europën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut. Krerët e Liverpulit, saktësisht pronari dhe presidenti Xhon Henri, bënë prapaktheu me vendimin e tyre për të nxjerrë në asistencë punonjës të ndryshëm dhe sidomos pjesëtarë të stafit teknik. Kritikat nga mediat kishin qenë të mëdha këto dy ditë, po ashtu nga grupimi i rëndësishëm i tifozëve të quajtur “Fryma e Shenklit”. Ish-lojtarë të Liverpulit si Xhemi Karrager, Ditmar Haman apo Dani Mërfi, gjithashtu e dënuan vendimin dhe klubi vendosi të kthente mendim.
Vendimi i parë i të kuqve bëri një përshtypje po aq të keqe, sa e madhe kishte qenë lavdia e tyre, dhe vlerësimi i klubit si një familje, diçka që shpesh e ka dalluar nga mjaft të tjerë. Shefi ekzekutiv, Piter Mur, nxorri deklaratën se asnjë punonjës dhe pjesëtar stafi nuk do të nxirret në asistencë, kjo pas bisedimeve me kryebashkiakun e Liverpulit, me tifozët dhe me kompaninë që zotëron aksionet. “Ne nxorrëm një përfundim të gabuar dhe na vjen me të vërtetë keq për këtë”, – shkruhej në deklaratë. Liverpuli, kështu, bashkohet me Mançester Sitin dhe Mançester Junajtidin që gjithashtu nuk kanë nxjerrë punonjës në asistencë. Ndryshe nga këta, klube të tjerë si Totenhemi, Njukasëlli, Bornmuthi apo Noruiçi kanë nxjerrë punonjës në asistencë ndërsa vazhdon kriza financiare për shkak të koronavirusit.
Sfidanti.al