Nuk deshën t’ia dinë përsëri. Elis Bakaj ishte në fushë, madje vendimtar, ndërsa Premier Liga e Bjellorusisë vazhdoi të luhej edhe këtë fundjavë, ndryshe nga e gjithë Europa. Sulmuesi shqiptar asistoi golin e vetëm të Dinamos së Brestit, kampiones bjelloruse në fuqi, që triumfoi minimalisht 1-0 në fushën e Sluckut, në javën e dytë të turnout. Publiku, edhe pse i paktë, sërish ishte i pranishëm në të gjithë stadiumet, me republikën e Europës Lindore që e habiti sërish të gjithë botën e tronditur nga epidemia e koronavirusit.
Televizioni dha direkt ndeshjen mes Sllavia së Mozirit dhe skuadrës më të shquar në vend, BATE-s së Borisovit, e cila u ndoq nga mijëra spektatorë në tribunën kryesore. Ekipi i Bakajt, Dinamo e Brestit, është në vendin e katërt me 4 pikë, dy më pak se kreu.
Presidenti Aleksandër Lukashenko njihet për qendrimin e tij sfidues ndaj epidemisë, ndërsa një ditë më parë ai hodhi një hap më shumë. Ndërsa mori pjesë në një turne hokeji në akull, Lukashenko u shpreh se “më mirë të kesh një vdekje dinjitoze, sesa të jetosh në gjunjë”.
Televizionet bjelloruse, padyshim edhe në përputhje me linjën zyrtare, i bënë jehonë veçantisë së vendit të tyre. Televizioni shtetëror, ONT, pati një pasqyrim të kampionatit, nën titullin “faleminderit futboll”, duke e shoqëruar me muzikë nëpër parqet e Minskut, me pamjet e tifozëve drejt stadiumeve, dhe kontrolleve mjekësore për koronavirusin. Nuk dihet nëse Lukashenko dhe Bjellorusia do ta ndryshojnë qendrimin, por për momentin republika ish-sovjetike ka 100 raste të sëmurësh, me asnjë humbje jete.
Sfidanti.al