Po tani, a do shtyhet Olimpiada në 2021, pasi Kanadaja refuzon pjesëmarrjen?!

Me gjasë kjo do të ndodhë, dhe nuk do të jetë vetëm futbolli i kombëtareve që do të vuajë. Lojrat Olimpike 2020, duket se do të bëhen të vitit 2021, ashtu si Kampionati Europian dhe Kupa e Kombeve të Amerikës së Jugut. Një goditje të fortë Olimpiada e mori me refuzimin e prerë të Kanadasë për të marrë pjesë nëse Lojrat zhvillohen këtë verë, siç edhe është në kalendarin vjetor. Vendimi kanadez erdhi pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar deklaroi se do të kërkojë një kohë prej 4 javësh për të vendosur se çfarë do të bëhet me ngjarjen më të madhe sportive të 4 viteve.

“Komitet Olimpik Kanadez dhe Komiteti Paraolimpik Kanadez, të mbështetur nga qeveria e Kanadasë, kanë marrë vendimin e vështirë për të mos dërguar skuadrën kombëtare në Lojrat Olimpike dhe Paraolimpike të kësaj vere, – shkruhet në deklaratën e ardhur nga shteti i Amerikës së Veriut, – asgjë nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti dhe siguria”. Duket se këtë verë në Tokio nuk do të ketë Lojra Olimpike, ndonëse duhet pritur vendimi përfundimtar i KON-it.

Sfidanti.al