Matematika thotë një “PO” të madhe, pra që edhe një pretendent tjetër mund të futet në listën e pretendimeve për kurorën! Fitorja e Laçit ndaj Bylisit, pavarësisht se me fat për shkak të gabimeve të Hidit, bëri që kurbinasit të ngjiteshin në kuotën e 41 pikëve, jo larg vendeve të para. Me një ecuri prej 3 fitoresh radhazi, 2020-ta duket se është i mbarë për ekipin e trajnerit Armando Cungu, që ka fituar një Kupë në stolin laçian këtu e disa vjet më parë.
Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë të rivalizohet Tirana në radhë të parë, por edhe Kukësi apo Partizani, veçse presidenti Laska besohet se e njeh mirë realitetin e Superligës shqiptare dhe do ta shfrytëzonte mundësinë nëse do t’i jepej. Ndaj Bylisit shënuan Greca dhe Rapo, pas grushtimeve jo të mira të Hidit, ndërsa ballshiotët barazuan me një penallti të merituar, ekzekutuar nga Mocone. “Ka edhe 11 javë dhe nuk i dihet se çfarë ndodh, – u shpreh Cungu pas ndeshjes, – shqetësohem nga kalendari i përcaktuar nga Federata, por nuk kemi çfarë të bëjmë, do të bindemi dhe të luajmë. Edhe tek ne ka pasur gabime, dhe shpresoj që të bëhen më pak në të ardhmen”.
Sfidanti.al