Lajmi më i keq që mund të merrte Barcelona nga ndeshja në Madrid nuk ishte humbja, edhe pse edhe ajo dëshpëron. Gjëja më negative ishte paraqitja e Lionel Mesit që u duk i pafuqishëm në tapetin e “Santiago Bernabeut”. Gazeta “Marka” bën pyetjen nëse kjo kishte të bënte me formën e dobët fizike të argjentinasit, me taktikën e shkëlqyer të Realit ndaj tij, apo me ndonjë mërzi të brendshme të kapitenit me klubin, që ia ka hequr pasionin për të luajtur në maksimum!
Me të drejtë “Marka” veçon aksionin e pjesës së dytë, me rezultatin 1-0 për Realin, kur De Jongu i dha një top të artë numrit 10 që po shkonte i vetëm drejt Kurtuasë. Pikërisht, kur Mesi do të gjuante, nga prapa erdhi si shigjetë Marselo duke i hequr topin dhe mundësinë për të shënuar. Pas kësaj, mbrojtësi brazilian lëshoi një britmë të fuqishme sikur kishte shënuar gol, duke entuziazmuar “Bernabeun” që kishte heshtur i frikësuar për golin që do të pësonte Reali. Në kohë të tjera, Mesit nuk do t’i kishte ndodhur një gjë e tillë. Gjithsesi, magjiku i futbollit ka kohë që nuk po shënon në El Klasiko. Për herë të fundit realizoi në “Kamp Nou” në 2017-2018, ndërsa në Madrid ka … 800 ditë pa gol!
Sfidanti.al