Xherdan Shaqiri për kohën tek Interi: dy orë gjuaja vetëm korne!

Futbollisti kosovar Xherdan Shaqiri që, aktualisht, luan në Premier Ligën angleze me Stok Sitin, kujton kohën, kur shkoi tek Interi i Milanit, ku thotë se, në fillim, ishte mahnitur atje, por se më vonë… “Më premtuan një Inter krejtësisht të ri. Pritja ishte madhështore, një çmenduri e vërtetë, ndërsa mënyra e jetesës ishte fantastike. “Ato ishin gjashtë muajt më të bukur të jetës sime”, thotë Shaqiri që, pas ardhjes së trajnerit spanjoll, Pep Guardiola, te Bajerni i Mynihut, ku luante, atëkohë, ai e humbi vendin në ekipin e parë, kështu që u detyrua që të largohej nga ekipi bavarez, më 2015, kur ai edhe shkoi tek Interi, ndërsa pranoi se, një vit më parë, kishte pasur një ofertë serioze edhe nga Liverpuli. “Atë verë të vitit 2015, doja, me çdo kusht, që të largohesha nga Bajerni, ndërsa kisha oferta nga Liverpuli dhe Atletiko e Madridit. Para kampionatit botëror të fundit, Brendan Roxhersi (Liverpul) më ofroi disa herë që të shkoja atje, por Bajerni nuk më la”, thotë Xherdan Shaqiri.

Tek Interi, Shaqiri, më 2015, qëndroi vetëm gjashtë muaj. “Interi më kërkoi më shumë sesa ekipet e tjerë. Pritja që më bën, ishte një çmenduri e vërtetë. Një roje sigurie, pranë meje, për pak më mbyti, kur më kapi, pasi atje u krijua një kaos i vërtetë, ndërsa ai humbi orientimin. Mënyra e jetesës, atje, të linte me gojë hapur, ata ishin gjashtë muajt më të bukur të jetës sime”,  kujton Xherdani, duke vazhduar më tej se “futbolli italian mbështetet më shumë te taktika, kështu që unë e kisha të vështirë që të fusja, atje, stilin tim shpërthyes të lojës. Kishte raste që, gjatë seancave të stërvitjes, unë vetëm se gjuaja dy orë korne. Kurrë në jetë nuk më kishte ndodhur kështu. Po e them me sinqeritet se infrastruktura e Interit ishte për turp të zotit. Ishte zhgënjyese që një klub me një prestigj të tillë nuk gjente dot mënyra për të investuar në infrastrukturën e vet. Ushqimi, rigjenerimi, analizat, etj. janë shumë larg atyre në Angli, ku niveli i tyre është plotësisht profesionist.

Sfidanti.al