Kishte ardhur koha që Siti i Guardiolës të fitonte në “Bernabeu”!

Nëse duhet të marrës trofeun, duhet të mundësh më të madhin, dhe në Champions, numri 1 e ka emrin Real Madrid. Duket se për Mançester Sitin paska ardhur më në fund koha e pjekurisë, dhe vetëm kjo mund të të bëjë të fitosh në stadiumin mitik “Santiago Bernabeu”, kur as Bajerni, Liverpuli, Milani, Mançester Junajtidi, Ajaksi apo Juventusi ia kanë dalë shpesh.

Paraqitja e “Qytetarëve” të Pep Guardiolës ishte madhështore dhe thuajse pa të sharë, me të vetmin gabim të rëndë kur i dhuruan madrilenëve golin e avantazhit. Fakti që përballuan “nokdaunin”, u ngritën madje edhe fituan, ia rrit edhe më shumë vlerën suksesit. Ishte fitorja e parë e Sitit ndaj Realit dhe u arrit pikërisht në Madrid. Është hera e parë që Zinedin Zidan mund të eleminohet nga Championsi si trajner i “merengesve”.

Ishte po hera e parë pas 9 vjetësh, që Pep Guardiola ia del ndaj “los blankosve”, këtë radhë pa Lionel Mesin në fushë. Mediat britanike, ishin të gatshme t’i blatonin lëvdatat e ta cilësonin si gjeni për mënyrën sesi e ndërtoi ndeshjen. Vendimet e Pepit ishin të guximshme, por dolën me sukses. Nuk ishte e lehtë të liheshin në stol David Silva, Kun Aguero, Rahim Stërlingu apo Fernandinjo, dhe vetëm një trajner me personalitet të madh mund ta bëjë.

Siti mbajti topin 51 për qind, gjuajti 19 herë drejt portës ndaj 9 të Realit, dhe 8 herë në kuadrat ndaj vetën 3 të vendasve. Kornet ishin 4-1 për ekipin e Guardiolës, që u bë i pari dhe i vetmi nga skuadrat angleze që shënoi në ndeshjet e para të turit të dytë të Championsit. Rezultati 2-1 u vendos pas golave të Iskos në 60’, Gabriel Zhezusit në 78’ dhe penalltisë së saktë të Kevin De Brujnit në 83’. Sergio Ramos u përjashtua me të kuqe dhe Reali do të luajë në ndeshjen e kthimit pa kapitenin. Ende asgjë nuk ka përfunduar, por Siti tashmë është favorit i padiskutueshëm.

Sfidanti.al