Kristiano Ronaldo si gjithnjë është i fundit që dorëzohet, ndonëse as ai nuk mundi ta gjente kuadratin e portës. Portugezi ka humbur edhe më parë në “kompeticionin e tij”, dhe po ashtu edhe Juventusi, kur ndoshta kurrë pa mundur të shënjestronin katërkëndëshin kundërshtar. Për më tepër, u mposhtën nga një rival që cilësohej si “i dorës së dytë” si Lioni i vendit të 7-të në ligën franceze, i lënë 28 pikë prapa nga Paris SG në renditje, kur kanë kaluar 26 javë deri tani.
Nuk dihet cili do të jetë reagimi i CR7-ës ndaj lojës së Sarrit, pasi vjet u ankua shumë për filozofinë e Alegrit, sidomos pas eleminimit nga Ajaksi në çerekfinale. Natyrisht, Juvja i ka të gjitha shanset pasi ka humbur vetëm 0-1. Të mos harrojmë që vjet humbi 0-2 në Madrid, por sërish u kualifikua ndaj Atletikos duke e mundur 3-0. Të tre golat patën një emër, Ronaldon.
Lykas Tusar ishte autori i golit të vetëm të ndeshjes në stadiumin “Zherland”, realizuar në 31’, por francezët patën edhe shumë mundësi të tjera. Juventusi pretendoi për dy penallti, për rrëzim në zonë të Dibalës e Ronaldos, por arbitri nuk i akordoi. Lioni goditi edhe shtyllën në pjesën e parë, dhe fitoi duelet, duke merituar fitoren. Mauricio Sarri sikur e kishte parashikuar para ndeshjes kur ishte shprehur se “skuadra u stërvit shumë mirë, por unë nuk i zë besë sepse stërvitjen më të mirë e kemi bërë para Superkupës (me Lacion), që e humbëm”.
Sfidanti.al