Në hierarkinë e Bajernit, Katlina është nga më të respektuarit!

Në pamje nuk ta mbush syrin, me trupin e imtë që duket edhe më i vogël pranë futbollistëve të fuqishëm. Gjithsesi, kjo grua me emrin Katlin Kryger është tepër e respektuar tek Bajerni i Mynihut, ndërsa ka një pozicion të veçantë. Katlina 34-vjeçare është si një lloj “menaxhereje” e botës së brendshme të lojtarëve, si një lloj koordinatoreje mes tyre dhe trajnerit Hansi Flik apo edhe drejtuesve të klubit.

“Sport Bildi” shkruan se Katlina mund të ndjekë nga afër bisedat në rrjetin e brendshëm social të futbollistëve, diçka që, në demokracinë e Bajernit, nuk i lejohet trajnerit Hansi Flik. Skuadra ka privatësinë e saj, pjesë e së cilës është edhe Katlina. Po ashtu, ajo siguron informacionin që lojtarët kanë nevojë të kenë për mbarëvajtjen e punëve. Titulli i saj në “Alianc Arena” është menaxhere e skuadrës, dhe është e ngarkuar me organizimin, udhëtimet dhe sigurimit të gjithçkaje të nevojshme për ekipin (logjistikën), një lloj “krahu i zgjatur” i trajnerit. Ish-futbollistja është bërë vërtet e rëndësishme, ndërsa ka vite që punon në klub. Ish-drejtori sportiv, Matias Zamer, deshi ta shkarkonte, por trajneri i atëhershëm, Jup Hajnkes, shkoi direkt tek Uli Hënesi dhe i tha: “Nëse ikën ajo, iki edhe unë”. Hënese e ktheu vendimin e tij.

Sfidanti.al