Napoli? Gatuzo mezi mban “kungujt nën sqetull”: Seria A, Barça, Interi!

Fitorja në fushën e Breshës e ka kënaqur, ndonëse e shpreh sipas mënyrë së tij. Është si një djalë rruge Xhenaro Gatuzo, me shprehjet që përdor dhe me qendrimin që mban, thuajse e kundërta e Karlo Ançelotit, veçse për momentin po e ndihmon Napolin. Karakteri i tij prej “mosketieri” besohet se i ka nxitur lojtarët që të besojnë dhe të japin maksimumin për të ndryshuar gjendjen. Fitorja 2-1 në Bresha ishte e vështirë, por tepër e rëndësishme, me Napolin që tani është në zonën e Ligës së Europës, edhe pse Championsi duket tepër larg. Atalanta ka 9 pikë më shumë me një ndeshje më pak.

“Për momentin, jemi në pozicion të mirë, dhe unë pata frikë se nuk do t’ia dilnim, – u shpreh Gatuzo, – jemi në botën e futbollit, këtu gjithçka është e vështirë. Duhet të falenderoj klubin për përforcimet (e janarit). Tani nuk di se kë do të hedh në formacion, pasi që të gjithë janë shumë të mirë”. Ngarkesa sezonale sa vjen e shtohet pasi do të luhet në Champions ndaj Barcelonës. “Më ka zënë frika, por do ta përgatisim ndeshjen aq mirë sa të kemi mundësi, – u shpreh trajneri, gjysmë me shaka, e gjysmë seriozisht, – Barcelona është një skuadër e madhe. Do të bëjmë ndeshjen tonë, dhe kjo vlen edhe në Kupën e Italisë ndaj Interit. Për Europën do të na duhen 27-28 pikë në 13 ndeshje, dhe do të ishte rezultat i madh”.

Sfidanti.al