Që nga 2017-ta ka hyrë në një qerthull nga i cili nuk po del dot më, aq sa edhe Lionel Mesi po detyrohet të mendojë për t’u larguar nga shtëpia. Barcelona nuk është më klubi-simbol, të cilit i luteshin sponsorët, dhe UNICEF-i e kishte si imazh global, por një familje e përçarë dhe e sherrosur, që po shqetëson edhe fqinjët me zhurmat e saj. Zbulimi i fundit i Radios “Kadena Ser”, për pagimin e një kompanie lobuese që të punojë për të prishur imazhin e … vetë yjeve të ekipit, tregon qartë se çfarë niveli dhe çfarë karakteri kanë njerëzit që drejtojnë sot në “Kamp Nou”.
Nëse doni të kuptoni paaftësinë e stafit të presidentit Bartomeu, mjafton të mendoni se përse Barça nuk pagoi 20 milionë euro për të marrë Eling Halandin nga Salcburgu. Dortmundi e bëri dhe sulmuesi norvegjez ka 11 gola në 7 ndeshje, ndërsa është në moshën 19-vjeçare. Kurrë ndonjë lojtar nuk ka bërë kaq përshtypje vitet e fundit nëse do të hiqnim mënjanë të tillë si Nejmar apo Mbape në moshën e adoleshencës. Në të kundërt, në “Kamp Nou” po mendojnë për lojtarë si Angel, Breithuejt, Rodrigo, Bakambu apo edhe Rej Manaj, me gjithë respektin për shqiptarin e kombëtares. Po ashtu, shpenzuan 150 milionë euro për Filip Kutinjon dhe 105 milionë euro për Usman Dembelenë, që tani janë zhdukur.
Bartomeu e pa të udhës të takonte Pikenë, dhe kapitenët e tjerë të ekipit, mbi të gjithë Mesin, për t’i sqaruar për lajmet e përhapura, duke i quajtur të pavërteta, por duket se Pikeja nuk është bindur. Mbrojtësi katalanas gjithnjë e thotë mendimin e tij, dhe këtë herë e bëri duke kundërshtuar dhe ofenduar një gazetar që mbrojti Bartomeun në rrjetet sociale.
Sfidanti.al