Njihet që nga vitet kur luante futboll se nuk i qeshte buza kurrë. Të tillë natyrë ka pasur dhe ka Xhenaro Gatuzo, gjithnjë në rolin e luftëtarit, dhe kurrë në atë të njeriut të kënaqur, apo që kërkon të shijojë gëzimet e jetës. i tillë ishte ai edhe pas fitores së Napolit të tij në “San Siro” ndaj Interit, për Kupën e Italisë. Edhe pse napolitanët janë pranë finales, trajneri i tyre nuk pati jo vetëm eufori, por as edhe ndonjë krenari kushediçfarë.
“Ne nuk kemi kohë për të buzëqeshur, madje nuk kemi shumë arsye për këtë, – ishin fjalët e Gatuzos, – fitorja në kupë nuk e fsheh dot realitetin, ndaj duhet të punojmë fort për t’u përmirësuar. Luajtëm ndaj një kundërshtari shumë të fortë, me shumë cilësi. Ne duhet të luftojmë kështu në çdo ndeshje, por ende kemi shumë mangësi. Gjithsesi, i falenderoj djemtë për sakrificën dhe rezultatin”. Besohet se ai dëshiron që Napoli të luajë më mirë, të mos jetë inferior në lojë ndaj kundërshtarëve, por sidomos nuk dëshiron që skuadra të alternojë ndeshje shumë të mira, si ato ndaj Juventusit e Interit, dhe të dobëta si ndaj Leçes.
Sfidanti.al