Borusia e Dortmundit mund të jetë një nga skuadrat më të bukura për t’u parë në Gjermani dhe në Europë. Verdhezinjtë e trajnerit Tomas Tuhel vazhdojnë traditën e Jurgen Klopit, me futbollin e tyre të rrjedhshëm, me pasime të shpejta, sulme dhe kundërsulme, por ende u mungon diçka e rëndësishme. Pas barazimit në inferioritet numerik javën që kaloi, një barazim në kushte krejt komode në stadiumin e tyre, “Signal Iduna Park” ndaj Augsburgut. Skuadra që mund Bajernin dhe bën Realin të dridhet, nuk ia del dot me ekipet e mesit të tabelës në Bundesligë.
Barazimi 1-1 erdhi pas golit të Dembelesë në minutat shtesë të pjesës së parë, ndërsa miqtë kishin kaluar të parët në epërsi me anë të Moravekut në të 33-ën. Dortmundi ka tani 27 pikë, duke qenë në vend të katërt, ndërsa skuadrat e tjera si Bajerni, Lajpcigu, Hofenhajmi, Herta apo Këlni ende nuk kanë luajtur. Në formacionin e trajnerit Tuhel bie në sy se skuadra është shumë e ndryshuar vit pas viti, dhe se mbrojtja është ende e dobët me lojtarë që nuk njihen aq mirë si Ginter, Bartra, Merino apo Vajgl, ndonëse janë të rinj që premtojnë ashtu si edhe Pulishiç. Sulmi është pjesa më e rrezikshme, por Obamejangut i mungon shpesh Rojsi i dëmtuar, ndërsa Gëce nuk është më ai i pari.