Luftë e vërtetë, një ndeshje e ndezur për të mos u fikur, nga ato që askush nuk mund të thotë së është i trukuar, dueli midis presidentit të Skënderbeut, Takaj, dhe presidentit të Kukësit, Gjici. Ka mjaftuar vetëm një mëkat, me gjatësi vale 11 metra, me një fjalë një penallti dhuratë për Kukësin me rastin e Festave të Vitit të Ri, nga arbitri Jemini, për të dalë nga shtrati një lumë plot helm, i cili po të përgjohej nga bota,do të rrezikonim edhe më shumë të ardhmen e lojës sonë. Duke sfiduar njëri-tjetrin për flirtin me arbitrat, dyshja presidenciale, shkon shumë larg, duke spiunuar publikisht marifetet konfidenciale për të patur pushtet mbi ata, qe nuk kanë më strehë tek foleza “gabime njerëzore”.
Takaj apo Gjici? Gjici apo Takaj? Po vihen edhe baste për fitoren në fund të kampionatit, ku këtë sezon, ndryshe nga moda e viteve të fundit, kuotohet në favor të Kukësit dhe në dëm të Skënderbeut. Nuk kishte ndodhur më parë që “perënditë” të sulmonin magjine e mekatare që fshihet pas topit të lojës. Në një kampionat rekordmen, ku deri tani nuk janë dhënë gati 13 penallti flagrante nga “verbimi kolektiv” i arbitrave, pritet me ankth loja në prapaskenë, e cila do të jetë një spektakël në krahasim me atë që ofron skena. Skënderbeu do të vazhdojë të tradhëtohet nga arbitrat? Kukësi do të marrë dhurata edhe pas vitit të ri? Këtë e di vetëm regjizori i kampionatit, ai që vitet e fundit nuk na e tregon para kohe fundin e përrallës. Një film që të gënjen sapo beson se bëhet për “Helenën e Trojës”, që në rastin tonë janë arbitrat, por e vërteta është krejt ndryshe, sepse ata nuk e kanë pushtetin për të dhënë trofeun e kampionatit, mjerë ai që nuk e di skemen.. Arbitrat aktrojnë mrekullisht, në një lojë që vazhdon të mbytet nga mungesa e oksigjenit , por edhe ata, në fund të fundit, janë si kukullat që komandohen me fije të shumta, sa duket e sajuar edhe kur thonë se vet kukulla, në disa raste, bëhet budallaqe sa nuk i bindet edhe të zotit.
Sfidanti.al