Pas Gjirokastrës u kalua edhe Vlora, ndonëse jo e fundit në Tiranë. Vendi i tretë në Superligë tashmë është i Partizanit, ndonëse skuadra e trajnerit Adolfo Sormani ende po bind. Shifrat 3-0 ndaj Luftëtarit u pasuan me ato 2-0 ndaj Flamurtarit në “Selman Stërmasi”, edhe pse pjesa e parë u mbyll pa gola, dhe loja e të kuqve nuk ishte aspak e rrjedhshme.
Çinari me penallti dhe Trashi ishin autorët e golave, në një sekuencë prej 10 minutash (62’ e 72’), dhe kampionët në fuqi u treguan vetvetja më së shumti në këtë periudhë kohore, kur patën edhe dy raste të tjerë për të shënuar. Sormani u shpreh se “skuadra po përmirësohet dhe ishte më mirë në këto dy ndeshje”, por nuk duhet të harrojë se Partizani luajti ndaj dy ekipeve të fundit të tabelës. Natyrisht, do të jetë shumë më e vështirë ndaj të tjerëve, siç u pa ndaj Kukësit apo Skënderbeut.
Të kuqtë janë në vendin e tretë pasi Teuta gaboi në shtëpi ndaj Luftëtarit, duke barazuar 1-1 në “Niko Dovana”, diçka që nuk pritej pas rezistencës së fortë që i bëri Tiranës në “Arenën Air Albania” një javë më parë. Gomez shënoi për vendasit në 14’ dhe Lika barazoi në fund. Partizani ka 34 pikë ndaj 41 të Kukësit e 40 të Tiranës, ndërsa Teuta mbetet me 32, po aq sa Laçi e Bylisi.
Sfidanti.al