Reali rrezikon jo pak, por Zidani nuk e do ndihmën e Bejlit!

Që nga 22 janari uellsiani nuk ka qenë, jo pjesë e formacionit, por as e skuadrës së Madridit të grumbulluar për ndeshjet e radhës. Trajneri Zinedin Zidan e ka lënë Garet Bejlin jashtë ekipit për duelet kundër Vajadolidit, Saragozës, Atletikos dhe Sociedadit, dhe “Marka” informon se vetëm në ndeshjen e parë ishte për çështje dëmtimi. “Zidan mendon se Bejli nuk po stërvitet me intensitetin e duhur, – shkruan e përditshmja madrilene, – nuk është gjë e re, por termometri ka regjistruar “temperatura tepër të ulëta” në raportin mes trajnerit dhe sulmuesit”.

Zidani nuk dëshiron të mbështetet tek Bejli qoftë edhe pas asaj që ndodhi në ndeshjen e Kupës, kur Reali u eleminua pas humbjes në “Bernabeu” me Sociedadin. Që këta të dy nuk shkojnë mirë, kjo dihet, dhe ka qenë kështu edhe herën e parë që Zizuja ishte trajner i Realit, madje në verë francezi u shpreh hapur se uellsiani duhej të largohej sa më parë. Kjo nuk ndodhi, dhe futbollisti u kthye në ekip, por ndoshta prishja tani është përfundimtare.

Sfidanti.al