Simfornia e 7-të e Tiranës së Egbosë, mundet Teuta dhe Kukësi mbetet 1 pikë larg!

Forca e një skuadre shikohet sidomos kur duhet të reagojë. Tirana kishte dhënë jo pak prova në Superligë e Kupë, me 6 fitore radhazi, por ja ku e arriti edhe të 7-ën nën drejtimin e trajnerit Emanuel Egbo, edhe pse u ndodh në dizavantazh ndaj Teutës. “Arena Air Albania” vazhdoi t’i sillte fat kryeqytetasve, ndonëse duhet thënë se suksesi 2-1 ndaj durrsakëve ishte thjesht për meritë të tyre, dhe jo për faktin se u luajt në stadiumin më të bukur në Shqipëri.

Skuadra mike e trajnerit Edi Martini e nisi më mirë duelin e kampionatit, duke shënuar shpejt me anë të Vilës, që në minutën e 15-të, por kjo nuk i mjaftoi. Tiranasit nuk e humbën toruan, diçka e rëndësishme dhe që tregon shumë, madje barazuan shpejt. Gjithsesi, duhet theksuar se, ashtu si Partizani, edhe bardheblutë patën nevojë për një dhuratë, dhe atë ua dha një mbrojtës mik dhe portieri Frashëri. Dhurata për pak e kapi gafil Tiranën, pasi Ngo thuajse gaboi.

Sulmuesi anglez u tregua më i përqëndruar 13 minuta më vonë, duke ndihmuar për avantazhin arritur me golin e Torasës. U duk se fitorja vendase u vulos po në pjesën e parë kur Çyrbja mori karton të kuq për Teutën. Gjithsesi, durrsakët treguan karakter pas pushimit duke patur shanse për të barazuar, edhe në inferioritet numerik. Natyrisht, Tirana kishte mundësitë e saj, madje edhe më shumta, por gol tjetër nuk realizoi dot.

Nuk i prishi asnjë punë në fund të fundit. Rëndësi pati fitorja e 7-të radhazi, dhe forcimi i pozitave në tabelë me 37 pikë, 6 pikë mbi ndjekësit më të afërt, dhe vetëm 1 pikë prapa Kukësit kryesues. Kuksianët e trajnerit Shpëtim Duro nuk e patën aspak problem fitoren në Vlorë, duke mundur 4-1 Flamurtarin.

Sfidanti.al