Murinjo përsëriti Interin ndaj Guardiolës, këtë herë me Totenhemin!

Kur gjyqtari sinjalizoi 11-metërsh për Mançester Sitin pranë fundit të pjesës së parë, u mendua se gjithçka po merrte fund për keq. Totenhemi i Zhoze Murinjos me gjasë do të humbiste përsëri, madje duke luajtur më keq sesa kishte bërë ndaj Liverpulit, por është fati që e thotë fjalën e fundit. Ilkai Gyndogan e humbi penalltinë dhe skuadra e Murinjos pati zotësinë të mbrohej mirë, të falenderonte Sitin e Guardiolës për rastet që humbi, dhe të gjente forcat për të shënuar dy gola. Autorë ishin Stiven Bergvejn, në ndeshjen e parë për “gjelat”, dhe koreanojugori Son, në minutat 63 e 71. Përpara sesa Spërsat të realizonin, miqtë mbetën me 10 vetë sepse Zinçenko doli me karton të kuq.

Totenhemi e mbajti topin vetëm 33 për qind, gjuajti vetëm 3 herë drejt portës kundërshtare dhe pati vetëm 2 goditje nga këndi. Në të kundërt, Siti pati 18 gjuajtje (5 në kuadrat), goditi edhe shtyllën, si dhe humbi penalltinë. Mund të thuhet se Murinjo realizoi një sfidë ndaj Guardiolës, siç bëri në 2010 kur ishte trajner i Interit, duke eleminuar Barcelonën në gjysmëfinalen e Championsit, e më pas e fitoi trofeun në finalen ndaj Bajernit.

Vetëm Jurgen Klopi ka fituar më shumë ndaj Guardiolës, 8 herë ndaj 6 të portugezit, që e ka bërë këtë me 4 skuadra të ndryshme, Interin, Realin, Mançester Junajtidin dhe tani Totenhemin. Portieri Hugo Joris ka pritur 3 nga 4 penalltitë e fundit që ka pasur përballë, diçka vërtet e madhe për kampionin e botës.

“Djemtë ishin fenomenalë, – u shpreh Murinjo pas ndeshjes, – ne ishim paksa me fat në disa raste, por ishim edhe pa fat kur VAR-i nuk i dha karton të kuq Stërlingut. Pritja e Jorisit ishte fantastike, ishte vullneti i Zotit, pasi ajo nuk ishte penallti”. Gjithsesi, Murinjo deklaroi se “unë kam mendime shumë më të mira për Guardiolën sesa mendoni ju”. Siti është i dyti në renditje me 51 pikë, 22 më pak se Liverpuli, ndërsa Totenhemi është i pesti me 37.

Sfidanti.al