Euroliga: Fitojnë CSKA, Reali e Barça, madje edhe Fenerbahçe!

“Duket se askush nuk beson se Fenerbahçe do të kualifikohet për në çerekfinale”, thoshte trajneri i famshëm Zheljko Obradoviç, dhe rreziku ende është që turqit të mos ia dalin, por fitorja e fundit dha edhe më shumë shpresë. Në fushën e Albës së Berlinit u fitua 74-70 me shumë vështirësi, por me meritë. Gjermanët kryesuan me 8 pikë në pushim dhe me 6 pikë në fund të pjesës së tretë, por Feneri nuk u dorëzua. Vesterman e fitoi ndeshjen në fund, por shumë mirë luajtën Slukas, De Kolo, Veseli dhe Datome. Fenerbahçe është tani vetëm 1 fitore larg vendit të 8-të, pra zonës së kualifikimit, madje mund të dalë e 8-ta nëse Valencia humbet sot.

Përveç ish-kampionëve të Europës, fituan edhe CSKA e Moskës, Reali i Madridit dhe Barcelonë. Kampionët në fuqi të Euroligës triumfuan në derbin moskovit, në Arenën “Leningradka” ndaj Himkit vendas. Nuk mjaftoi Aleksei Shved me 27 pikë dhe 6 asistë (por, edhe me 8 topa të humbur), pasi për CSKA-në ishin lart Majk Xhejmsi me 21 pikë, Voigtman me 15 pikë e 14 topa në tabela, Sant-Ros me 12 pikë, e Kajl Hajnsi me 13 pikë. CSKA ia doli 78-69.

Reali arriti një fitore të rëndësishme jashtë fushe, në Arenën e Makabit në Tel Aviv. Shifrat 81-77 treguan për betejë të fortë, sidomos në pjesën e katërt. Randolf ishte më i miri për Realin, mirë edhe Tompkins, Tavarez, Kasër e Kampaso. Barcelona fitoi thellë në fushën e saj ndaj Zenitit të Shën Peterburgut, 90-72, ku dominimi erdhi nga forma e Delaneit, Kuriçit e Mirotiçit.

Anadolu Efes, që luan sot në fushën e Crvena Zvezdës, kryeson me 18 fitore e 3 humbje, e ndjekin CSKA, Barcelona e Reali me nga 16 fitore e 6 humbje.

Sfidanti.al