Ronaldo je i shkëlqyer, por rekordin e Sivorit nuk e kap dot!

“La Gazeta delo Sport” ka një ëndërr. Jo si Martin Luter Kingu, por është një fantazi e parealizueshme sepse kërkon të bashkojë epoka të largëta. Pra, si do të ishte Juventusi nëse në fushë do të ishin Omar Sivori, Xhon Çarls dhe … Kristiano Ronaldo? Sivori e Çarlsi ishin dominuesit e viteve 50-të e 60-të, ndërsa CR7-ta po përpiqet të jetë dominuesi i sotëm.

Të tre kanë diçka që i afron, faktin se janë lojtarët që më shpejt se të gjithë arritën në 50 gola me fanelën bardhezi. Por, cili është i pari? Mos t’i vijë keq Kristianos, por Sivori ia ka kaluar në këtë rekord. Sulmuesi i dikurshëm argjentinas mbërriti 50 rrjeta në 65 ndeshje, ndërsa Ronaldo sot ka 48 gola në 69 ndeshje. Për momentin, në vend të dytë në këtë renditje është Xhon Çarls, pasi gjigandi nga Uellsi bëri 50 gola në 70 ndeshje. Nëse Ronaldo realizon dy herë ndaj Fiorentinës, do ta barazojë “gjigandin e mirë”. CR7 ka mesataren 0.69 gola për ndeshje, një mesatare shumë e mirë, ndërsa në 11 takimet e fundit është në 1.27 gola për ndeshje, pra i shkëlqyer. Treshja e mësipërme ka lënë pas legjendat e tjera juventine si Platini (50 gola në 80 ndeshje), Trezege, Boniperti, Baxho, Higuain, Inzagi dhe Del Piero.

Sfidanti.al