Prag-ndeshja ishte drithëruese, një nga ato momente që nuk harrohen kurrë. Nderimi i Kobi Brajantit nuk mund të bëhej më i shkëlqyer në duelin e parë në “Stejpëlls Sentër”, që pas vdekjes së tij. Klipersat vendas dhe Sakramento mike e përkujtuan siç duhet, një pjesë e lojtarëve u lutën thellësisht, dhe vetë sfida e NBA-së sikur doli në plan të dytë. Kjo edhe sepse ylli kryesor i vendasve, Koui Leonard, nuk mundi të luante. Sakramento përfitoi nga kjo, dhe ishte ekipi që më shumë e nderoi legjendën e Lejkërsave me lojën në parket.
Fitorja ishte e miqve, madje 124-103, dhe më shumë nga të gjithë shkëlqeu 22-vjeçari nga Kentaki, De’Aron Foks. Në një sezon mjaft të mirë për të, Foksi arriti një kulm duke shënuar 34 pikë, duke kapur 3 topa në tabela e duke dhënë 8 asistë. Po ashtu, vodhi 4 topa e bllokoi një gjuajtje, dhe ishte mjaft i saktë në tentativat e tij. Mirë u paraqitën edhe Badi Hild (19 pikë) dhe Bogdan Bogdanoviç (15). Klipersat ishin të dobët pa Leonardin, aq më tepër që ylli tjetër, Pol Xhorxh, luajti gjithashtu pak (19 minuta) dhe bëri pak: 8 pikë, 4 topa në tabela, 4 asistë. Lou Uilliams udhëhoqi vendasit me 22 pikë.
Sfidanti.al