Një fitore e shumëpritur që ktheu qetësinë, dhe pse jo, edhe besimin. Sukses “i vogël”, 2-1, ndaj Fiorentinës e kualifikim për në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, me Interin që tani mund të shohë me më shumë optimizëm drejt të ardhmes. Për më tepër, në “San Siro” debutoi përforcimi më i fundit, Kristian Eriksen, i cili bëri një paraqitje shumë të mirë, dhe u brohorit nga publiku zikaltër. Pavarësisht këtyre, Antonio Konte vazhdon të “kafshojë buzën”.
“U detyrova të luaja me 3 sulmes për shkak të dëmtimeve, – pohoi ai pas ndeshjes, – natyrisht, fitorja ishte e merituar dhe ne duam që të ecim përpara në të gjitha konkurrimet”. Trajneri vlerësoi paraqitjen e disa prej lojtarëve, duke veçuar Eriksenin dhe Barelën. “Kristiani e kupton mirë lojën, e sheh qartë, por duhet t’i japim kohë që të përshtatet, – theksoi Konte, – Barela luajti mjaft mirë, por së pari duhet të rikuperojmë të dëmtuarit e shumtë”. Trajneri i Interit deklaroi se skuadra e tij duhet të mësojë për 3 barazimeve radhazi në kampionat, pasi “ndeshje të caktuara, nëse nuk i mbyll në kohë, të krijojnë të papritura siç ishte ajo me Kaljarin ku pësuam gol me gjuajtje të devijuar nga 25 metra”.
Sfidanti.al