Kriza e dimrit, Interi paska shumë momente të tillë!

Nuk është vetëm dukuri e skuadrës që e drejton Antonio Konte. Zikaltërit në stinën e ftohtë të vitit vuakan shumë, dhe këtë e paskan provuar edhe teknikë të tjerë si Stramaçoni, Spaleti, madje edhe Mançini. Ndoshta, vetëm Zhoze Murinjo mund ta ketë kaluar “pengesën” me sukses. Tre barazime radhazi do të thotë ulje e ndjeshme e ritmit, dhe formacioni që “bluante” rezultatet ndihet tepër larg. Ishte fat i interistëve që Napoli më në fund u bë “burrë” dhe mundi Juventusin, sepse diferenca me kreun mund të kishte qenë më e madhe.

Sidoqoftë, hallet nuk mbarojnë këtu, pasi në ndeshjet e ardhshme pritet të ketë kokëçarje të tjera. Lautaro Martinez, njëri nga dy lojtarët kryesorë të sulmit, pritet të pezullohet me 2 ndeshje pas reagimit të ashpër ndaj arbitrit në sfidën ndaj Kaljarit. Kjo do të thotë se argjentinasi thuajse me siguri do të humbasë derbin. Jo vetëm kaq, por rrezikon edhe trajneri Antonio Konte, i cili mund të pezullohet të paktën për 1 ndeshje, apo edhe për dy. “La Gazeta delo Sort” informon se bashkë me Konten rrezikojnë Berni, Ranokia dhe D’Ambrozio.

Sfidanti.al