Dita më e zezë e Simeones, “El Çolo” kurrë më keq në stolin e Atletikos!

Sezoni është një tranzicion dhe ai e ka theksuar disa herë, jo edhe aq për justifikim. Atletiko e Madridit duket një punë në krijim e sipër dhe goditja në Kupën e Mbretit e konfirmoi. U eleminua nga Kultural Leonesa, skuadër e kategorisë së tretë, me Diego Pablo Simeonen që përjetoi mbrëmjen më të keqe që kur është ulur në stolin e bardhekuqve. U deshën gjuajtjet e penalltive, por kjo nuk lehtëson asgjë për një trajner dhe një ekip që arritën të fitonin titullin kampion në Spanjë, fituan kupa, superkupa dhe trofe europianë, si dhe triumfuan në shumë prej derbeve të Madridit ndaj Realit.

Prej 14 vjetësh, “El Çolo” njohu suksese, sidomos për një klub dhe një ekip si Atletiko, shumë më pak të fuqishëm sesa Reali e Barça, veçse në fushën e Kulturalit të Leonesës, madrilenët ishin më inferiorë. Simeone pati disa mungesa, si Oblak apo Morata, por nuk mjaftojnë për të shpjeguar eleminimin. Sezoni duket thuajse i përfunduar me diferencën 8 pikë nga kreu i La Ligës dhe me duelin e Championsit ndaj Liverpulit.

Sfidanti.al