Edhe nëse dëmtohet Mane, Liverpuli fiton, nokaut edhe Uolvesi!

Parashikohej si një nga ndeshjet më të vështira të sezonit, dhe ashtu doli. Liverpuli i Jurgen Klopit kaloi “purgatorin” në stadiumin e Uolvesit të Nunjo Espirito Santos, duke fituar 2-1, por pas vuajtjeve të mëdha. Më e keqja nga të gjitha, iu dëmtua njëri nga pjesëtarët e treshes së madhe të sulmit, Sadio Mane, që duket se ka problem në kofshë, dhe mund të mungojë për disa kohë. Gjithsesi, ndeshja u mbyll me sukses.

Xhordan Henderson kaloi të kuqtë në epërsi që në minutën e 8-të, dhe kryesuesit e Premier Ligës e mbyllën në avantazh pjesën e parë. Pas pushimit, në minutën e 51-të Raul Himenez barazoi dhe publiku mbështeti Uolvesin për të bërë mrekullinë. Nuk ia dolën, pasi përballë patën një skuadër me shumë përvojë dhe të bashkuar si Liverpuli, që madje arriti fitoren gjashtë minuta para fundit. Autor rrjete, pjesëtari tjetër i treshes së sulmit, heroi i Kupës së Botës për klubet, Roberto Firmino. Me këtë sukses, Liverpuli u ngjit në kuotën e 67 pikëve, duke pasur 22 fitore e 1 barazim në këtë sezon të Premier Ligës, e duke qenë 16 pikë para Mançester Sitit, madje duke pasur një ndeshje më pak të luajtur. Të kuqtë kanë gati dyfishin e pikëve të Mançester Junajtidit, dhe kjo flet qartë për formën e tyre.

Sfidanti.al