Njëzet vjet dashuri mund të marrin fund për Tomas Mylerin e Bajernin!

Në derën e klubit trokiti për herë të parë kur ishte 10 vjeç, padyshim me sytë e çakërritur prej fëmije, ndërsa ndodhej tek ata që luftonin çdo vit për Bundesligën dhe Championsin. Ai fëmijë i quajtur Tomas Myler do ta bënte historinë e tij në “Zebener Shtrase” dhe në “Alianc Arena”, do të fitonte Bundesligat dhe Championsin në 2013, por si gjithçka në këtë jetë, edhe aventura e tij bavareze pati një fillim dhe do të ketë një fund. Kjo mbyllje mund të jetë këtë verë, pasi Myleri deklaroi se “po mendoj për të ardhmen”. Sulmuesi nuk është shumë i vjetër, 30 vjeç, por tashmë po zbret gjithnjë e më shumë në listën e favoritëve për të luajtur në sulm, prapa Levandovskit, Serg Gnabrisë, Filip Kutinjos apo edhe të riut Zirkze. Deri para dy vjetësh, ai ishte i rëndësishëm, por që nga ardhja e Niko Kovaçit gjithçka ndryshoi dhe Myleri shënoi vetëm 6 gola në 2018-2019 dhe deri tani ka shënuar vetëm 2 herë këtë sezon. Emërimi i Hansi Flikut e ka përmirësuar gjendjen disi, por Myler e di se nuk mund të bëjë plane të gjata. Kontrata ka edhe 18 muaj, por mund të mos respektohet deri në fund.

Sfidanti.al