Çfarë skuadre mund të ishte kjo, me të dy yjet e mëdhenj në fushë? Padyshim shumë e fortë, dhe ndoshta në majat e renditjes së Konferencave në NBA, e në pritje të Kevin Durantit, le të kënaqemi me Kajri Irvingun. Ish-kampioni i basketbollit amerikan, në radhët e Klivlendit të Lebron Xhejmsit, u kthye i pari nga dëmtimi dhe menjëherë shkëlqeu, ndonëse mungoi për 2 muaj.
I vlerësuar si një nga lojtarët më të talentuar në Amerikë, Irving u aktivizua jo edhe aq shumë ndaj Atlantës, por sërish bëri diferencën në fitoren 108-86. Në pak më shumë se 19 minuta lojë, ai realizoi 21 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 3 asiste dhe vodhi një top. Edhe pse nuk është ende në ritmin e duhur për nivelin e lartë të NBA-së, sërish kjo nuk e pengoi që të ishte tepër i saktë. Irving realizoi 10 nga 11 gjuajtjet nga loja, rendimenti i tij më i lartë në karrierë.
Kuptohet, suksesi i Bruklinit u ndihmua shumë edhe nga basketbollistët e tjerë, pasi 27-vjeçari luajti më pak se gjysmën e ndeshjesh. Me kthimin edhe të Durantit, pritet që skuadra nga Nju Jorku të forcohet edhe më shumë. Së pari, duhet të sigurojë pjesëmarrjen në plej of, ndërsa ndodhet në vendin e 7-të në Konferencën Lindore të NBA-së.
Sfidanti.al