Murinjo është tashmë dëshmitar i madhështisë së Liverpulit!

Titulli nuk është fituar ende, por tashmë është shumë më pranë. Si mund të mendohet ndryshe për një skuadër që ka fituar 20 nga 21 ndeshjet e para të kampiontit, dhe së cilës i duhen edhe 17 për të përfunduar një kryevepër. Nëse duhej fituar një titull kampion pas 30 vjetësh, kjo duhej bërë me një veçanti historike, dhe Liverpuli i Jurgen Klopit po vepron pikërisht kështu. Të kuqtë kanë rekordin e pikëve të të gjitha kohëve në 5 ligat kryesore të Europës, pas 21 ndeshjeve të para, duke mbledhur 61 pikë, ndaj 59 që ishte rekordi  mbajtur nga Mançester Siti, Bajerni i Mynihut dhe Paris SG.

Goli i Roberto Firminos vendosi duelin në fushën e Totenhemit, në “Uajt Hart Lejnin” e ri, kundër të besuarve të Zhoze Murinjos. Pati polemika, sidomos për ndërhyrjen e Andi Robertsonit, por sidoqoftë ndeshja u fitua dhe Liverpuli u duk skuadra më autoritare në fushë, edhe pse Son dhe Lo Selso patën raste të mira në pjesën e dytë. Mediat angleze kujtojnë sesi 6 vjet më parë, Liverpuli i Brendon Roxhersit ishte pranë titullit në fund të kampionatit, dhe sesi humbi në “Anfild” ndaj Çelsit të Zhoze Murinjos, pas rrëshqitjes së kapitenit Stiven Xherrard. Në atë kohë Murinjo u quajt “varrosësi” i shpresave të Liverpulit për titull, por këtë herë ishte thjesht dëshmitar i shkëlqimit të skuadrës së Jurgen Klopit.

Sfidanti.al