Një ndeshje nga ato të veçantat do të luhet në stadiumin “San Siro” të Milanos. Interi do të presë Atalantën, një sfidë tipike e “Goliadhit” ndaj “Davidit”, pasi e tillë është pasuria zikaltër, dhe e tillë modestia e bergamaskëve. Me një diferencë buxheti të konsiderueshme, me dallim tepër të madh edhe në numrin e tifozëve në stadium, dy ekipet sidoqoftë pritet të japin një nga shfaqjet më të bukura të Serisë A këtë vit. Interi është i pari, me pikë të barabarta me kampionen e 8-fishtë radhazi Juventus, ndërsa Atalanta më pranë Championsit, po ashtu e kualifikuar në Champions (Interi jo), si dhe me numrin më të madh të golave shënuar këtë sezon në kampionatin italian.
Dy trajnerët duan suksesin, ndonëse ndeshjen e mendojnë ndryshe. “Nuk më intereson shumë të dalim kampionë të dimrit, – thotë Konte, – duhet të dalim të parët në fund. Kjo nuk do të thotë se ndaj Atalantës nuk do të luajmë për fitore. Kundërshtari luan me ritëm të lartë dhe denduri veprimesh, ne duhet të tejkalojmë mundësitë tona për të fituar”. Gasperini mendon pak më shumë për ndeshjen. “Interi është ekip për titull, – thotë trajneri i “DEA”-s, – por, në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Synimi ynë është Europa (doje të thoje , Championsi, zoti Gasperini?). Duhet të jemi kujdes nga kundërsulmi i tyre”.
Sfidanti.al