Me dollarë apo me euro, Federer do të jetë miliarderi i ri i sportit!

Ndoshta rekordin e Çmimeve të Mëdha mund ta humbasë, pasi Rafael Nadal është shumë pranë, dhe po ashtu Novak Gjokoviç mund ta kërcënojë. Gjithsesi, është një “kampionat” ku Rozher Federer nuk mund të arrihet nga dy rivalët e tij të mëdhenj, dhe pikërisht “liga e fitimeve”. Lajmet janë që tenisti zviceran do të kalojë shpejt “tavanin” e 1 miliardëve të fituara në karrierë, në sport dhe në sponsorizime.

Pak rëndësi ka nëse këto shifra do të jenë në euro, në USD apo në paundë stërlina, i rëndësishëm është fakti se legjenda zvicerane do të bashkohet me Majkëll Xhordanin, Tajgër Udsin dhe Flojd Mejuedhërin, si të vetmit sportistë që kanë fituar mbi 1 miliardë në karrierë. Federeri do të jetë i pari joamerikan. Kjo, edhe pse Gjokoviç ka fituar më shumë para nga turnetë, plot 139 milionë USD ndaj 129 milionëve të rivalit, por Rozher është i pakapshëm për sponsorizime.

Sfidanti.al