Reali në Superkupë pa Benzemanë e Bejlin, por me “murin” Kurtua!

Nuk do të jetë e lehtë për Zinedin Zidanin që të fitojë një trofe të rëndësishëm sezonal si Superkupën e Spanjës. Do të luhet me format të ndryshëm në Xhedah të Arabisë Saudite, me katër skuadra pjesëmarrëse, dhe Reali do të jetë pa dy prej lojtarëve më të mirë të sulmit, Karim Benzema dhe Garet Bejl, që të dy me dëmtime. Gjithsesi, Zidan duhet të jetë i kënaqur që do të ketë me vete atë që po cilësohet “muri”, pra portierin Tibo Kurtua.

Kritikat e shumta të fillimit tashmë janë shuar, tifozët e duan, ndërsa trajneri deklaroi së fundmi se “për mua, Kurtua ka qenë gjithnjë më i miri”. Natyrisht, Zizu dikur ka vlerësuar shumë ish-portierin Kejlor Navas, sot tek Paris SG. Kurtua ka pësuar vetëm 9 gola në 21 ndeshje, duke mos pësuar gol në 11 takime. Kjo e bën atë të një niveli me Jan Oblakun e Atletikos dhe Ter Shtegenin e Barcelonës. Belgu ka një bilanc të shkëlqyer kur vjen puna për gjuajtjet, pasi ka ndalur 27 nga 30 gjithsej, një rendiment tepër i lartë. Prova e tij e radhës do të jetë gjysmëfinalja e Superkupës, pasnesër ndaj Valencias, dhe një finale e mundshme ndaj Barcelonës apo Atletikos në 12 janar.

Sfidanti.al