A do ta ndihmojë FIFA Nejmarin që të kthehet tek Barcelona?!

Nuk dihet nëse suksesi do të vijë, por ai do ta provojë. Të paktën, sipas asaj që shkruajnë mediat europiane, Nejmar do ta padisë Paris SG në FIFA, për të shfrytëzuar nenet e rregullores së saj që të largohet nga kryeqyteti i Francës dhe të kthehet tek Barcelona. Në rregulloren e FIFA-s, neni 14 është që “secila palë mund ta ndërpresë një kontratë në mënyrë të njëanshme, pa pasoja të ndonjë lloji (pra pagesë kompensimi, apo dënim sportiv), kur ka një kauzë të drejtë”.

Nuk dihet sesa e drejtë është kauza që Nejmar dëshiron të ikë nga PSG dhe të jetë lojtar i Barcelonës, por braziliani duket i përgatitur edhe për skenarin e nenit 16 ku shkruhet se “një kontratë nuk mundë të ndërpritet në mënyrë të njëanshme në vazhdim të sezonit”. Pra, numri 10 do të presë verën për të vepruar, por gjithashtu i takon FIFA-s të caktojë dëmshpërblimin financiar që duhet paguar nga lojtari që dëshiron të largohet. Ylli 27-vjeçar bëri çmos verën e kaluar për t’u larguar nga Liga e Parë e Francës, dhe u fol se mund të shkonte tek Reali apo Barcelona, por asgjë e tillë nuk ndodhi.

Sfidanti.al