Çelsi përmbys Arsenalin në derbi, një dhuratë nga portieri Leno!

Në futboll edhe mund të gabohet, madje rëndë. Një gafë të tillë bëri portieri i Arsenalit, Bernd Leno, duke ndihmuar Çelsin të përmbyste rezultatin e të fitonte derbin luajtur në stadiumin “Emirejts”. Një goditje e rëndë për “topçinjtë” e trajnerit të ri, Mikel Arteta, me skuadrën e tij që luftoi fort dhe që ishte pranë suksesit. Gjithsesi, i duhet hequr kapelja Frenk Lampardit që nuk hoqi dorë, që ndryshoi skemat, dhe bëri zëvendësime të rëndësishme në kërkim të suksesit. Përveç gafës së Lenos, që dhuroi golin e barazimit shënuar nga Zhorzhinjo, blutë e Londrës luftuan fort dhe kjo ishte edhe fitore karakteri.

Arsenali kaloi i pari në epërsi në minutën e 13-tëme golin e sulmuesit Pjer-Emerik Obamejang. Vendasit kishin nevojë jetike për pikët për t’u ngjitur sado pak në renditje, dhe paraqitja e tyre ishte e disiplinuar. Arteta kishte punuar sidomos nga ana psikologjike duke i dhënë më shumë qetësi skuadrës, që po kalonte një sezon të keq. Gjithsesi, gabimet janë një provë e rëndë. Gjithçka u përmbys në fund, kur Leno i dhuroi golin Zhorzhinjos në minutën e 83-të, dhe Tami Abraham vulosi rezultatin në kundërsulm, tre minuta para fundit. Me këtë fitore, Çelsi forcoi pozitat në vendin e katërt në Premier Ligë, me 35 pikë, 4 pikë mbi Junajtidin e 5 pikë mbi Çelsin, por edhe vetëm 3 pikë larg Mançester Sitit të vendit të tretë. Arsenali ndodhet më pranë zonës së rënies nga kategoria, sesa zonës Champions.

Sfidanti.al