Tifozët e Barcelonës duan Klopin, por pritet të kenë Kumanin!

Nuk është se do të ishin të pakënaqur edhe me holandezin, të cilin e votuan shumë, por gjithsesi zgjidhja e parë duhej të ishte gjermani. Plot 33.6 për qind e 240 ortakëve të Barcelonës, të pyetur nga gazeta “El Mundo Deportivo”, votuan për emrin e Jurgen Klopit, si alternativa më e mirë për katalanasit. Në vend të dytë, por shumë pranë, doli trajneri i tanishëm i Holandës, Ronald Kuman, i cili mori 31.96 për qind të votave.

Klop po shkëlqen me Liverpulin duke fituar Championsin e Kupën e Botës për klubet (si edhe Euperkupën e Europës), ndërsa është shumë pranë fitimit të titullit në Angli. Kuman ka qenë një legjendë e Barçës, duke fituar 4 La Liga dhe Championsin, kur shënoi golin që vendosi finalen e 1992-it në “Uembli” ndaj Sampdorias.  Në sondazh, vendin e tretë e zuri trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez (17 për qind) dhe të katërtin Pep Guardiola (6).

Emëruesi i përbashkët i tyre ishte dëshira që trajneri i tanishëm, Ernesto Valverde, të largohet në përfundim të kontratës. Ishin plot 80 për qind që votuan kështu, ndërsa Valverdes i mbaron akordi në fund të këtij sezoni.

Sfidanti.al