Korabi , emri i skuadrës vjen nga mali më i lartë në Shqipëri, po provon lartësinë më të madhe të tradhëtisë edhe në futbollin e Superligës. Një tokë, që në emër të një loje me top krijon shumë bëma për të mbijetuar. E gënjyen të gjithë ekipin e Korabit, nga maja e futbollit,atëherë kur presidenti dhe trajneri De Biazi u kishin premtuar mirëseardhjen në tokën e të barabartëve me një stadium të ri ku do të bashkepunonin, deri tek klubet që përdhosen fjalën e dhënë duke i debuar nga stadiumi, ngaqë nuk ditkan të ulin ..mbathjet. Fati bëhet edhe më i zi kur kujton edhe sjelljen e arbitrave. Pse Korabi mbeti me plaçka në dorë në kërkim të një stadiumi, për të bërë kampionatin e saj? Nga Selman Stërmasi e kanë degdisur fill pas atij barazimi kapriçioz me Tiranën. Po i njëjti fat edhe në Kukës, ku dibranët “tradhëtuan” përsëri gjatë 90 minutave dhe vodhën barazimin, ku jeta mund të kishte qënë më e bukur si humbës. Për dy pikë, Korabi ka humbur dy stadiume dhe tani, më shumë se kurrë, e shikon veten si refugjat në një garë, ku e mira paska qënë nëse do të dorëzonte “armët”, siç ka ndodhur me paraardhësit. Në Dibër, si mjeshtër të fjalës që thumbon mjaftueshëm, kanë filluar të thonë se “ Po të ishim humbës, do të kishim gjetur shumë stadiume në këtë Superligën e ndershme”.
Flitet se tifozët dibranë janë duke ngritur një parrullë sfiduese për ndeshjet në vazhdim,të cilat nuk dihen me siguri se ku do t’i luajnë: “Poshtë stadiumet, rrofshin barazimet”. Luajnë futboll sulmues, edhe pse nuk kanë një stadium, por bëjnë një mëkat të madh, ngaqë.. nuk dorëzojnë portën. Një mëkat që nuk falet nga zakonet tradicionale të lojës, sidomos kur kujton se një ekip me plaçka në dorë, pa shtëpi e pa katandi, kërkon të mundë të zotin e shtëpisë. Duke qënë të aftë me topin, po aq sa edhe me fjalën, dibranët të kujtojnë kohën e artë, disa dekada më parë, kur histria u tregua e keqe, por kryeqyteti u bë “stadiumi” i jetës së tyre. Një jetë ku miku ishte mik dhe nuk tradhëtohej nga fjala. Gjërat kanë ndryshuar aq shumë, sa për pak futboll, vetëm për një barazim në një lojë me pak dëshmitarë, Tirana e futbollit e largon nga stadiumi pa teklif, pa u skuqur fare. Nuk ka letra dhe kontrata në këto raste, ngaqë në futbollin tonë mbizotëron “flala e bosëve”. Ajo që nuk ekziston në fushë, e as në dokumente, veçse gjëndet me shumicë në ajër. Pale kur t’i thonë Korabit se do të ishte më e udhës që të stërvitej në Dibrën e Madhe, ngaqë do të shpëtonte njëherë e mirë nga pabesitë tona, që bëhen në emër të futbollit dhe të besës që prodhon. Frika nuk do t’i ndahej përsëri Korabit, sepse edhe ata shqiptarë janë,dhe kushedi si do ta merrnin nëse do të bënin një ndeshje kontrolli dhe në fund do të kishim një ..barazim!
Gëzim Sinemati