Jasir Asani “suedez”, Partizani ëndërron të paktën 300 000 euro!

Kaloi momentet e fundit në me shokët. Jasir Asani u duk qartë si i tërhequr në stërvitjen e Partizanit, ndërsa karriera e tij do të vazhdojë diku tjetër. Futbollisti i talentuar ofensiv që nga janari vesh fanelën e AIK-ut të Stokholmit, dhe do të luajë në Superligën e Suedisë. Njoftimi zyrtar u bë nga vetë klubi suedez, që sqaroi formulën e huazimit që nga janari 2020 deri në fund të sezonit.

Në qershor, dy klubet do të diskutojnë për shitjen përfundimtare të kartonit, gjithnjë nëse AIK-u do të bindet për ta marrë futbollistin shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Gjithsesi, Asani do të jetë pjesë e Partizanit në dy ndeshjet e Superligës ndaj Teutës dhe Vllaznisë.

“Futbolli është pasioni im, – është shprehur Asani, – është një nder i madh dhe një mundësi për mua, që të luaj për AIK-in. Do të bëj gjithçka që të bind drejtuesit, shokët e skuadrës dhe tifozët”.

“Jasiri është një talent natyral që pëlqen të luajë më shumë në krah, – deklaroi menaxheri sportiv i AIK-ut, Bjorn Uestrom, – ai është i shpejtë me topin dhe pa të, ka ekuilibër në lojën sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe është shumë i shpejtë. Ne besojmë se Jasiri do të na ndihmojë shumë dhe mezi presim ta kemi në janar”.

Asani ishte një nga lojtarët kryesor të Partizanit që u shpall kampion sezonin e kaluar nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega. Ai shënoi disa gola, dhe ndihmoi shumë me talentin e përkushtimin duke luajtur më shumë në krahun e djathtë. Gjatë edicionit në vazhdim, 24-vjeçari nuk pati të njëjtat mundësi me trajnerin e ri, Franko Lerda, duke luajtur shumë më pak.

Partizani kërkoi 400 000 euro për kartonin e tij gjatë stinës së verës, ndërsa tani mund të kënaqet edhe me 300 000, ndërsa nuk dëshiron që ta humbasë Asanin me parametër zero. Klubi dëshiron të bëjë të njëjtën gjë me lojtarin tjetër të talentuar ofensiv, Esat Malën, por ky nuk ka pranuar të rinovojë kontratën, ndaj edhe është përjashtuar nga ekipi i parë.

Sfidanti.al