Barça-Real, një “El Klasiko” në Epokën e protestave!

Zinedin Zidan nuk është shumë i kënaqur, por nuk mund të bëhet ndryshe. Jo vetëm që Barcelona dhe Reali do të jenë në të njëjtin hotel përpara sesa të luhet “El Klasiko”, dhe jo vetëm që do ta bëjnë rrugën bashkë (siç është plani deri tani), por edhe duhet të mbërrijnë në stadium në orën 18:00. Kjo është një kërkesë e detyrueshme e bërë nga organet e sigurisë për dy klubet dhe për ligën e futbollit. Të gjithë duhet të jenë njëkohësisht në “Kamp Nou” dy orë para fillimit të “El Klasikos” që do të luhet nesër.

Masat e sigurisë do të jenë të nivelit më të lartë, për të shmangur përplasje të jashtëzakonshme me protestues të mundshëm, që mund të sillnin edhe rrezikim të shëndetit të lojtarëve, trajnerëve dhe arbitrave. Alarm numër 1 për Realin, që në momentin e mbërritjes në aeroportin “Prats” të Barcelonës, e deri në largimin nga qyteti. Ndeshja është në program për t’u luajtur këtë të mërkurë në orën 20:00, në “Kamp Nou”, pasi u shty me 53 ditë, ndërsa ishte parashikuar të luhej në 26 tetor.

Sfidanti.al