Lacio e Inzagit dhe e Tares mund Juven, tani garë treshe për titullin!

“Kjo është një fjalë e madhe”, refuzoi Sergej Milinkoviç-Saviç, ndërsa skuadra e tij u konsiderua pretendente njëlloj me Interin dhe me kampionët në fuqi. Sulmuesi serb ndoshta nuk është mësuar me këtë lartësi, por në Itali janë të bindur se Lacio mund të pretendojë “skudeton” pasi triumfoi 3-1 ndaj Juventusit në “Olimpiko”.

Ishte skuadra e trajnerit Stefano Inzagi, por edhe e drejtorit sportiv, Igli Tare, padyshim edhe e presidentit Klaudio Lotito. “Duhet të zhdukim kompleksin ndaj Juves”, – kishte paralajmëruar Tare para ndeshjes, ndërsa pas suksesit, “La Gazeta delo Sport” thekson se drejtuesi shqiptar mori Luiz Felipen nga kategoria e katërt në Brazil vetëm për 500 000 euro, ndërsa tani ai është një nga lojtarët më të kërkuar në Europë. Pikërisht Luiz Felipe barazpeshoi golin e Ronaldos, në minutën e fundit të pjesës së parë, duke i hapur rrugën suksesit.

Pas pushimit, Milinkoviç-Saviç shënoi golin e dytë në 74’, Çiro Imobile humbi penallti të pritur nga Shezni, Felipe Kaisedo vulosi për 3-1 në sekondat e fundit, ndërsa në minutën e 69-të Huan Kuadrado u përjashtua me të kuqe për Juven. Momenti më i keq për ekipin e Sarrit ishte dalja për dëmtim e uruguajanit Betankur, nga më të mirët në fushë.

“Jemi duke bërë diçka të jashtëzakonshme, – tha Inzagi, – kam qenë gjithnjë i bindur në forcën e kësaj skuadre. Le të mos kënaqemi, pra le të pretendojmë edhe titullin. Jemi në një moment shumë të mirë dhe duhet të jemi ambiciozë”. Lacio ka 33 pikë dhe ndodhet në vendin e tretë në Serinë A, pas Interit që ka 38 dhe Juventusit me 36.

Sfidanti.al