Lutuni për fatin e Ançelotit, që ta gëzojmë gjatë trajnerin Edi Reja…

Sa herë që “perënditë” mendohen apo bëjnë sikur mendohen për të rinovuar me trajnerin e Kombëtares,  mbërrijnë zëra nga jashtë se… trajnerin do të na e rrëmbejnë nga stoli. Ndaj, le të lutemi që Napoli të mos largojë Karlo Ançelotin,  sespe Edi Reja qënka një nga tre kandidatët për postin  e tij. Ky lajm, i cili  është popullarizuar tashmë nga media italiane, na  tingellon  si një muzikë e njohur me “pepinot”  e stolit kuqezi. Kur Kombëtarja  kishte trajner De Biazin, s’mbeti vend në hartë pa lakmuar trajnerin tonë, madje edhe nga Kina kishin  synime.  Mirë kjo, por edhe në kohën e Panuçit, për të cilin thuhej se kish  ardhur më shumë për të mësuar sesa për të na mësuar, prapëseprapë, fantazmat u shfaqën njëlloj. Thonin se Kristianin e donin prapë në Itali dhe këtë herë zërat të çonin në Romë…

Le të lutemi që të jenë vetëm fantazi tregu këto zëra, sepse Kombëtarja me Edi Rejën sapo kanë nisur t’ia marrin dorën njëri-tjetrit.  Duket sikur vazhdon të jetë e shkruar dhe në kontratën e  trajnerit veteran , ashtu si me paraardhësit, që futbollistët tanë në disa ndeshje ta kenë mëndjen në mësim, në disa të tjera…mund të relaksohen pa frena,  deri në dezertim si me Andorrën. Kishim vetëm një hall: do të firmosë Reja apo jo? Tani u bëmë me dy halle: ishalla nuk heqin Ançelotin nga Napoli se ..pastaj tundet edhe stoli ynë. Pale të kujtosh një deklaratë “bombë”  të presidentit tonë në median italiane, me një frazë që dukej sikur i përkiste më shumë orbitës së basteve : “ Më parë do të largohet Ançeloti nga Napoli, sesa mbrojtësi  ynë Hysaj…” Duket sikur do ta fitojmë bastin,si përherë,  por edhe frika se mos na marrin Edi Rejën.. mbetet në fuqi!

Sfidanti.al