Futboll dhe histori, Zeniti, ekipi që luajti në rrethimin e Leningradit!

Dashuria më e madhe provohet në luftë, po ashtu edhe karakteri më i fortë. I ka qëlluar edhe disa prej futbollistëve të jetojnë në rrethana të tilla, madje ndër më të egrat e të gjitha kohëve. Spikat skuadra e futbollit Zenit e Shën Peterburgut, që luajti futboll gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur qyteti quhej Leningrad, dhe mbeti i rrethuar për më shumë se 2 vjet e katër muaj. Pavarësisht se një pjesë e lojtarëve të Zenitit i larguan nga rreziku, dhe i dërguan në Kazanj (ku punuan nëpër fabrika), disa mbetën. Nikolia Lepeka, vëllezërit Jevgeni e Valentin Shegalin, Nikolai Salostin, Samuil Kozinjets dhe Arkadij Larionov humbën jetën në front. Boris Jivin dhe Leonid Dorofejev vdiqën gjatë rrethimit, ndërsa ndodheshin në Leningrad. Gjithsesi, futbolli luajti pjesën e tij. Drejtuesit e Partisë Bolshevike në Leningrad vendosën të organizonin një ndeshje në dimrin e vitit 1942, për të rritur moralin e banorëve. Ishin 300 tifozë që e ndoqën takimin ku luajtën dy ekipe, në secilin prej tyre kishte ndonjë lojtar të Zenitit në një krah dhe të Dinamos së Leningradit në tjetrin. Përfundoi 6-0 për të dytët, dhe u ndërprej nga alarmi ajror. Në mars 1943 u luajt sërish, por këtë herë pati ekuilibër, 2-2.

Sfidanti.al