Seria A ka edhe kryeqytetin, Lacio e Roma sfidë dyshes së kreut!

Juventusi e Interi ndoshta po luajnë një kampionat tjetër, por Seria A e ka edhe kryeqytetin në përbërje të saj. Lacio dhe Roma treguan se dinë të pretendojnë duke fituar ndeshjet e radhës këtë të diel, e duke qenë në zonën Champions. Për ata që nuk dalin dot kampion, një kualifikim i tillë është titull më vete.

Lacio e Tomas Strakoshës pati një provë të vështirë në fushën e Sasuolos, që arriti ta kalonte në fund. Imobile shënoi golin e përhershëm, pastaj vendasit barazuan me anë të Kaputos, por në sekondat e fundit, skuadra e Inzagit kaloi më rrjetën e Felipe Kalsedos. Fitorja duhet thënë se ishte e merituar dhe Lacio ka tani vendin e tretë me 27 pikë, 7 pikë larg Interit të vendit të dytë. Për më tepër, lacialët janë ekipi i dytë me më shumë gola në Serinë A, pas Atalantës.

Sukses edhe më bindës për Romën, që triumfoi 3-0 në “Olimpiko” ndaj Breshës. Mbrojtësi Kris Smolling shënoi golin e parë, pastaj Xhanluka Mançini dhe Edin Xheko. Trajneri Fonseka ndihet i kënaqur dhe, po ashtu, i lumtur për Alesandro Florencin, i cili pati edhe keqkuptime me teknikun, por tani po luan normalisht. Roma është në vend të katërt me 26 pikë.

Sfidanti.al