Nuk po mundet të shkëputet, por humori nuk i është prishur aspak. Partizani duket i bindur se mund t’ia dalë për ta mbrojtur titullin, veçse kur vjen puna për deklaratat, trajneri Franko Lerda, kufizohet në të nesërmen. Në prag është ndeshja me Laçin, dhe tekniku italian nuk ngurron të japë vlerësime të larta për kundërshtarin.
“Laçi, ashtu siç thoni ju, vjen nga katër fitore, – flet Lerda, – Që kur ndryshoi trajnerin, ka fituar 4 ndeshje dhe ka humbur vetëm të parën me Tiranën, duke shënuar 12 gola, e duke pësuar vetëm 4. Pra, është një skuadër në formë, skuadër që ndihet mirë. Ne këtë e dimë, dhe e kemi përgatitur ndeshjen mirë . Kemi punuar mirë, janë kthyer lojtarët nga kombëtarja, pra kemi besim se do të dalim mirë në këtë ndeshje”.
Lerda ngacmohet duke u pyetur nëse edhe barazimi mund të pranohej. “Jo vetëm këtu tek Partizani, por kudo ku kam punuar, mentaliteti im, qëndrimi im ka qenë dhe mbetet që duhet të fitoj, kundër kujtdo, dhe kudo, – deklaron ai, – Në fund, këtë e vendos fusha e lojës, por parimisht unë nuk kënaqem kurrë me barazimin, unë dua që të fitoj gjithnjë, ndaj kujtdo, pra dua të fitoj edhe këtë ndeshje”.
Disa fjalë për renditjen e Superligës nuk mund të shmangen, gjithsesi. “Me diskutimet për renditjen unë nuk merrem, – pret shkurt trajneri, – Unë shoh ndeshjen, përpiqem ta përgatis sa më mirë që të jetë e mundur, duke përqëndruar vëmendjen tek kjo ndeshje. Renditja apo diferenca me skuadrat e tjera, nisin të shihen kur duhen edhe 4-5 javë deri në përfundim”.
Ka ndodhur që Partizani ka pasur mungesa, sa i ka ndjerë ato Lerda? “Do të kem për këtë ndeshje sërish një numër të rëndësishëm lojtarësh, pra do të kem mundësi të bëj më shumë zgjedhje, – thotë ai me kënaqësi, – Nuk e di se kë quani ju Partizanin e vërtetë, për mua është ai Partizan që është parë në ndeshjet e tjera. Pavarësisht nga mungesat, nuk mund të ankohem pasi lojtarët që kanë luajtur nuk më kanë zhgënjyer. Jam i kënaqur dhe i bindur me grupin që kam”.
Sfidanti.al