Joshua Zirkzee nuk po i kushton rëndësi vetëm paraqitjeve në fushë. Sulmuesi i Manchester United ka bërë një lëvizje të pazakontë për të rregulluar garderobën e tij, duke sjellë posaçërisht nga Holanda një stiliste mode. Futbollisti holandez angazhoi Sydney Luchies për të organizuar garderobën e tij, për të hequr rrobat që nuk i përdor më dhe për të krijuar hapësirë për veshje të reja. Stilistja udhëtoi drejt Mançesterit vetëm për këtë qëllim dhe qëndroi aty rreth 24 orë për të përfunduar punën. Luchies dokumentoi procesin në TikTok, ku një nga videot e saj kaloi shifrën e 100 mijë shikimeve.
“Joshua më pyeti nëse mund ta ndihmoja të riorganizonte garderobën, të krijonte më shumë hapësirë për gjërat e reja dhe ta bënte gjithçka më të rregullt”, tregoi ajo. Puna nuk ishte aspak e vogël. Stilistja u përball me një numër të madh rrobash, përfshirë veshje të markave të njohura dhe një koleksion të konsiderueshëm bluzash e tutash. Sydney vendosi të ndajë rrobat që Zirkzee nuk i vesh ose që nuk i ka përdorur kurrë. Pjesa më e mirë e tyre do të shitet në emër të futbollistit, ndërsa veshjet e tjera do të dhurohen për bamirësi. Por misioni nuk ishte vetëm të krijonte rregull. Stilistja po punon gjithashtu për t’i dhënë Zirkzee-s një pamje të re, me kombinime që e bëjnë të duket si një reper elegant i viteve ’90. Ajo madje përzgjedh veshje të reja dhe krijon kombinime të posaçme për sulmuesin, duke i përshtatur garderobën me stilin e tij personal. Kështu, ndërsa Zirkzee përgatitet për një tjetër sezon me Manchester United, jashtë fushës ai duket se ka nisur një tjetër “stërvitje”: të transformojë garderobën dhe stilin e tij personal, me ndihmën e një eksperteje të ardhur enkas nga Holanda.

